EKONOMI/Gjilani konsulton bizneset për Parkun Industrial, projekti hyn në fazën e projektimit

Rreth 50 biznese nga Gjilani morën pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në kuadër të procesit për ndërtimin e Parkut Industrial në Gjilan.

Në takim morën pjesë ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, të cilët prezantuan potencialin e projektit dhe dëgjuan rekomandimet e komunitetit të biznesit, me qëllim që Parku Industrial të projektohet sipas nevojave reale të ndërmarrësve.

U bë e ditur se studimi i fizibilitetit tashmë ka përfunduar, ndërsa projekti ka hyrë në fazën e hartimit të projektit përfundimtar.

Parku Industrial do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 150 hektarësh në fshatin Lipovç i Epërm, pranë magjistrales Gjilan–Prishtinë.

Sipas MINTI-t, parku do të ndërtohet mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, me përdorimin e energjisë së pastër dhe organizimin e zonave sipas veprimtarive industriale.

Projekti synon të tërheqë investitorë, të krijojë vende të reja pune dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Gjilanit dhe rajonit.

Shpërndaj me të tjerët