ARSIM / Gjimnazi “Zenel Hajdini” mirëpret ish-nxënësit dhe veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare

Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan ka qenë sot nikoqir i një takimi të veçantë dhe mjaft emocionues. Kjo vatër e diturisë ka mirëpritur disa personalitete të shquara, ish-nxënës të kësaj shkolle dhe veprimtarë të palodhur të çështjes kombëtare: Sami Hoxha (ish-nxënës dhe ish-drejtor i shkollës), Hydajet Hyseni (ish-nxënës dhe ish-i burgosur politik), akademik Zymer Neziri (veprimtar që nga vitet e ’60-ta dhe ish-i burgosur politik), si dhe ish-i burgosuri politik Agim Sylejmani.

Gjatë këtij takimi, mysafirët e nderuar ndanë me stafin e shkollës kujtime, përvoja dhe mesazhe të vlefshme mbi rrugëtimin e tyre të vështirë dhe sakrificën e madhe nëpër periudha të ndryshme të historisë sonë.

Në këtë përvjetor kujtese, me respekt të lartë u evokua edhe veprimtaria e Meriman Brahës, ish-i burgosur politik dhe mësimdhënës në këtë gjimnaz gjatë viteve të ’70-ta, duke vlerësuar lart kontributin e tij në edukimin e brezave dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Me këtë rast, biblioteka e shkollës u pasurua edhe me një dhuratë të çmuar: një libër që pasqyron veprimtarinë dhe sakrificën e të burgosurve politikë.

Ky botim me vlerë të veçantë historike do të shërbejë si burim i rëndësishëm njohurie e frymëzimi për të gjithë brezat e rinj.

Drejtuesit e gjimnazit kanë falënderuar përzemërsisht mysafirët për vizitën, kohën dhe mesazhet e tyre, duke nënvizuar se takime të tilla janë jetike për ruajtjen dhe kultivimin e kujtesës sonë historike.

 

Shpërndaj me të tjerët