Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka marrë pjesë në Takimin Themelues të Kolegjiumit për Siguri dhe Emergjencë. Ky takim u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bashkëpunim me drejtoritë komunale për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkomunal në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave. Gjatë punimeve u diskutua gjerësisht për koordinimin institucional, shkëmbimin e përvojave më të mira si dhe avancimin e kapaciteteve reaguese ndaj situatave emergjente.
Në kuadër të këtij takimi u zhvillua edhe procesi zgjedhor, me ç’rast u votua Kryetari dhe Kryesia e re e Kolegjiumit për Siguri dhe Emergjencë, strukturë kjo që do të udhëheqë aktivitetet dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave në këtë fushë.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan rithekson përkushtimin e saj të plotë në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve.
