Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Venhar Salihu, ka vizituar sot Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku është pritur në takim nga kryesuesi i sapozgjedhur, Rrustem Thaqi.
Me këtë rast, kryetari Salihu i ka uruar personalisht kryesuesit Thaqi marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e KGJK-së dhe në përmbushjen e përgjegjësive për menaxhimin e sistemit gjyqësor në vend.
Gjatë këtij takimi, në qendër të diskutimit ishin sfidat specifike me të cilat përballet Gjykata Themelore e Gjilanit dhe gjykatat e tjera në vend. Kryetari Salihu vuri theksin te rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm e të ngushtë ndërmjet KGJK-së dhe gjykatave, si dhe te nevoja e adresimit të shpejtë të sfidave të përbashkëta operative e infrastrukturore.
Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit u rikonfirmua përkushtimi i Gjykatës së Gjilanit për të qenë pjesë aktive e reformave që synojnë rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës, me qëllim që qytetarët e rajonit të Gjilanit të pranojnë shërbime sa më cilësore dhe të rritet besimi i tyre te drejtësia.
