Një projekt me peshë të madhe emocionale dhe vlerë të lartë shoqërore ka marrë jetë sot në Gjilan. Në lagjen “Kamnik”,
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me Ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe ish-Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga (njëherësh kryetare e Fondacionit Jahjaga), kanë bërë zbulimin e muralit të titulluar “Çast”.
Ky mural vjen si një monument i gjallë arti dhe një thirrje e fuqishme e përditshme për të mos i harruar kurrë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ky projekt nderon sakrificën e tyre dhe rithekson se Gjilani do të mbetet gjithmonë një hapësirë ku dinjiteti i të mbijetuarve mbrohet dhe respektohet me krenari.
Projekti u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Fondacionit Jahjaga dhe UN Women në Kosovë, të cilët u falënderuan përzemërsisht nga komuna për kontributin e tyre në jetësimin e kësaj vepre domethënëse.
