FC Drita nuk ka arritur të kalojë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, pasi u mposht sonte me rezultat të ngushtë 2:3 nga skuadra lituaneze, FK Kauno Žalgiris.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Lituani kishte përfunduar me barazim 1:1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit. Megjithatë, fati nuk ishte në anën e gjilanasve në ndeshjen vendimtare të luajtur sonte, ku një penallti në sekondat e fundit doli të ishte fatale.
Për Dritën golat u shënuan nga talenti Igball Jashari dhe sulmuesi Arb Manaj, të cilët luftuan deri në fund për të siguruar kualifikimin. Për mysafirët realizoi dy herë Slivka, ndërsa goditjen e fundit e dha Benchaib, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutat shtesë të ndeshjes (90+’).
Pavarësisht këtij eliminimi të dhimbshëm në frymën e fundit, rrugëtimi evropian për skuadrën gjilanase nuk përfundon këtu. Aventurën e tyre në garat ndërkombëtare Drita do ta vazhdojë në kualifikimet e UEFA Conference League.
