Këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Gjilan, Fadil Ademi, ka njoftuar se është zgjidhur problemi me pusetat e kanalizimit në fshatin Llovcë, pas shqetësimeve të ngritura nga banorët.
Sipas tij, për një kohë pusetat kanë qenë të bllokuara, ndërsa ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, duke krijuar rrezik dhe shqetësim për banorët.
Ademi ka bërë të ditur se çështjen e ka adresuar në KRU “Hidromorava”, e cila ka reaguar duke dërguar ekipet në terren për pastrimin e pusetave.
“Pas reagimit të Hidromoravës, ekipet dolën në terren, pastruan pusetat dhe e zgjidhën problemin. Sot gjendja është normalizuar dhe rreziku është evituar”, ka shkruar ai.
Ai ka falënderuar ekipet e KRU “Hidromorava” për reagimin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar se bashkëpunimi dhe reagimi i institucioneve ndaj kërkesave të qytetarëve sjell rezultate konkrete.
