ARSIM/ Fakulteti Ekonomik i UKZ-së kërkon më shumë praktikë për studentët dhe bashkëpunim me bizneset

Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka zhvilluar një takim konsultativ me Bordin Industrial, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe biznese partnere, në kuadër të përgatitjeve për procesin e riakreditimit të programeve studimore.

Takimi kishte për qëllim marrjen e rekomandimeve dhe sugjerimeve konkrete nga përfaqësuesit e sektorit privat për avancimin e programeve studimore dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut të punës.

Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e bizneseve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me universitetin, veçanërisht në një kohë kur zhvillimet teknologjike dhe proceset e digjitalizimit kërkojnë përditësim të vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të studentëve.

Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe nevoja për përfshirje më të madhe të studentëve në praktikën profesionale gjatë studimeve.

Në këtë drejtim, u diskutua mundësia e fuqizimit të komponentës së praktikës në programet studimore dhe krijimit të më shumë mundësive për studentët që të fitojnë përvojë në ambiente reale pune.

Në përfundim, Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe përfaqësuesit e bizneseve u pajtuan se praktika e obligueshme gjatë studimeve do të kontribuonte në rritjen e kompetencave profesionale të studentëve dhe lehtësimin e integrimit të tyre në tregun e punës.

Në kuadër të aktivitetit, dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Xhevat Sopi, dhe prodekani Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti zhvilluan edhe një takim me kryetarin e Bordit Këshillëdhënës Industrial, Ibrahim Krivaqa, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet fakultetit dhe komunitetit të biznesit, si dhe për rolin e Bordit në procesin e riakreditimit dhe zhvillimin e programeve në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Shpërndaj me të tjerët