SIGURIA/ Policia e Gjilanit shton patrullimet dhe kontrollet gjatë sezonit veror

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan po zhvillon aktivitete të shtuara operative dhe parandaluese në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”.

Përmes stacioneve policore dhe njësive të specializuara rajonale, Policia po rrit prezencën dhe patrullimet në tërë zonën e përgjegjësisë, me fokus të veçantë në mbikëqyrjen dhe kontrollin e trafikut rrugor, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Policia po ndërmerr masa edhe ndaj shkelësve të ligjit, ndërsa rëndësi e veçantë po i kushtohet parandalimit dhe luftimit të dukurive penale që ndërlidhen me narkotikët, përmes veprimeve operative dhe hetimore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se do të vazhdojë me prezencën e shtuar policore, masat parandaluese dhe aktivitetet operative gjatë sezonit veror, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera.

Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për respektimin e ligjit dhe bashkëpunim me zyrtarët policorë.

Shpërndaj me të tjerët