PËRFSHIRJE/ Përmbyllet muaji i parë i trajnimeve rehabilituese për personat me dëmtim të shikimit

Në Gjilan është përmbyllur muaji i parë i ciklit të trajnimeve rehabilituese në fushën e Orientimit dhe Mobilitetit, si dhe të Leximit dhe Shkrimit në Braille.

Trajnimi i Orientimit dhe Mobilitetit është zhvilluar kryesisht në hapësira publike, me qëllim të rritjes së pavarësisë, zhvillimit të aftësive praktike dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së personave me dëmtim të shikimit.

Gjatë trajnimeve, pjesëmarrësit kanë mësuar teknikat e orientimit dhe lëvizjes së sigurt me shkopin e bardhë, si dhe leximin dhe shkrimin në alfabetin Braille, të domosdoshme për komunikim dhe qasje në informacion.

Ndërkohë, sesionet psikosociale janë zhvilluar në ditën e fundit të këtij cikli. Shoqata e të Verbërve e Kosovës (ShNV) ka bërë të ditur se nuk do të publikojë asnjë nga pjesëmarrësit e këtyre sesioneve, për shkak të ndjeshmërisë së tyre dhe ruajtjes së privatësisë.

Kështu ka bërë të ditur Bajram Spahiu, kryetar i ShNV-së në Gjilan.

Shpërndaj me të tjerët