Përcaktohet orari dhe përballjet e xhiros së parë për edicionin e ri garues në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll për sezonin 2026/27.
Pas hedhjes së shortit, dy skuadrat nga Gjilani, Drita dhe SC Gjilani, kanë mësuar rrugëtimin e tyre për kampionatin e ardhshëm, i cili pritet të sjellë rivalitet të madh që në start.
Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, do ta nisë mbrojtjen e titullit para shikuesve të vet në Gjilan, ku do të presë Llapin në një nga përballjet më të forta të xhiros hapëse.
Në anën tjetër, skuadra tjetër e qytetit, Gjilani, do të ketë një transfertë të vështirë, pasi do të udhëtojë në Drenas për t’u ndeshur me Feronikelin 74, i cili është rikthyer përsëri në elitën e futbollit kosovar.
Edicioni i ri i kampionatit do të nisë zyrtarisht më 15 gusht, ndërsa stinori vjeshtor është paraparë të mbyllet më 20 dhjetor.
Skuadrat gjilanase dhe klubet e tjera elitare tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve me synimin për të realizuar objektivat e tyre në këtë kampionat.
