Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, e shoqëruar nga Shefi i Shërbimit Social, Mehat Berisha, dhe zyrtarja për çështje sociale, Salihe Aliu, vizituan sot dy familjet strehuese shembullore të komunës: familjen e Hakile e Muharrem Lutfiut si dhe atë të Alije e Aziz Hamdiut.
Kjo vizitë kishte për qëllim shprehjen e mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë institucional për misionin e tyre fisnik ndër vite.
Me përkushtim dhe dashuri të pakufishme, këto dy familje kanë strehuar e rritur dhjetëra fëmijë pa përkujdesje prindërore, duke u dhuruar jo vetëm një çati mbi krye, por edhe ngrohtësi familjare, siguri e shpresë për të ardhmen.
Për këtë kontribut të rrallë, familja Lutfiu dhe ajo Hamdiu janë nderuar edhe me çmime presidenciale, duke u renditur ndër familjet më të mira strehuese në Kosovë.
Ato sot përfaqësojnë krenarinë e Gjilanit dhe modelin më të lartë të vlerave njerëzore.
Me këtë rast, Komuna e Gjilanit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë vullnetin dhe mundësinë për të strehuar një fëmijë në nevojë, të paraqiten pranë Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Të hapësh dyert e shtëpisë për një fëmijë do të thotë t’i dhurosh atij mundësinë për t’u rritur me dinjitet e dashuri.
