ARSIM/ Kërkohen mjete buxhetore për renovimin e Bibliotekës së Qytetit në Gjilan

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vatra në Gjilan, Kushtrim Kadriu, ka kërkuar nga Komuna e Gjilanit që të ndajë mjete financiare për renovimin e pjesëve të dëmtuara të objektit të Bibliotekës së Re të qytetit.

​Përmes një reagimi, Kadriu ka bërë të ditur se këtë propozim e ka paraqitur gjatë fazës së planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm, duke theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje në këtë objekt.

​„Kjo është gjendja e objektit të Bibliotekës së Re në Gjilan. Duke qenë se aktualisht jemi në fazën e planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm, sot kam propozuar që të planifikohen mjete për renovimin e pjesëve të dëmtuara të këtij objekti“, ka shkruar Kadriu.

​Më tej, ai ka nënvizuar rëndësinë e veçantë që ka ky institucion për jetën arsimore dhe kulturore të qytetit.

​„Biblioteka është një institucion me rëndësi të veçantë për arsimin, kulturën dhe zhvillimin e komunitetit. Prandaj, investimi në përmirësimin e kushteve të saj është i domosdoshëm, në mënyrë që qytetarët të kenë një hapësirë funksionale dhe dinjitoze në shërbim të dijes“, ka përfunduar këshilltari komunal i Lëvizjes Vatra.

Shpërndaj me të tjerët