BUJQËSI/ Korrje-shirjet në Zhegër me rendimente të përgjysmuara

Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së në Gjilan, Muhadin Haziri, ka njoftuar përmbylljen e sezonit të korrje-shirjeve në fshatin Zhegër, duke e cilësuar këtë vit si mjaft të vështirë dhe me sfida të shumta për bujqit e zonës.

​Haziri ka bërë të ditur se reshjet e dendura të shiut dhe breshëri në shumë zona kanë dëmtuar seriozisht të mbjellat, duke përgjysmuar rendimentet e grurit dhe duke zbehur mundin e një viti të tërë të fermerëve.

Sidoqoftë, ai ka theksuar se puna në tokë kërkon durim, besim dhe përkushtim përballë çdo sfide natyrore.

​Përveç dëmeve nga moti, shqetësim kryesor për fermerët mbetet mungesa e rritjes së mbështetjes shtetërore.

Haziri ka potencuar se subvencionet mbeten në nivelin e njëjtë prej 300 eurosh për hektar, prej të cilave 150 euro për hektar, 100 euro për plehërim dhe 50 euro për derivate , ndërkohë që kostot e prodhimit, çmimet e naftës dhe plehrave bujqësore janë rritur ndjeshëm.

​Përmes një apeli publik, këshilltari Haziri i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë që të dëgjojnë zërin e bujqve dhe të rrisin mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë.

Sipas tij, fermerët nuk kërkojnë privilegje, por mbështetje të drejtë për të garantuar punën e tyre dhe sigurinë ushqimore të vendit, pasi duke mbështetur fermerin, forcohet vetë Kosova.

Shpërndaj me të tjerët