Ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mjekësisë në Gjilan po vazhdon me ritëm të lartë. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Jeton Rexhepi, ka bërë të ditur se punimet për këtë projekt të rëndësishëm po ecin drejt finalizimit.
Sipas tij, sot ka përfunduar një fazë kyçe në sallën e edukatës fizike, derisa po punohet edhe në izolimin e të gjithë objektit shkollor.
“Investimi në infrastrukturën arsimore është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë! Sot ka përfunduar pllaka e betonit të sallës së edukatës fizike, ndërsa paralelisht po avancojnë edhe punimet për izolimin e objektit, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda,” ka thënë Rexhepi.
Rexhepi theksoi se ecuria e punimeve po tregon progres të dukshëm, duke afruar gjithnjë e më shumë përfundimin e këtij projekti madhor që do t’u shërbejë nxënësve dhe komunitetit arsimor në Gjilan.
