Mjegullnajë, paqartësi dhe një heshtje e pakuptueshme mediatike po mbretëron te klubi i Dritës, vetëm katër ditë para përballjes kryesore në arenën ndërkombëtare.
Kryetrajneri Zekirija Ramadani dhe ndihmësi i tij, Sadat Shahin,tashmë janë larguar nga drejtimi i shtabit teknik.
Mirëpo, ajo që ka shqetësuar pa masë opinionin sportiv dhe tifozët gjilanas është se nga drejtuesit e klubit ende nuk ka asnjë informatë apo deklaratë zyrtare.
Kjo heshtje është edhe më e theksuar në kanalet zyrtare të klubit. Faqja zyrtare e 5-fishtë kampionëve të Kosovës nuk ka publikuar asnjë sqarim se çfarë po ndodh me stafin teknik, duke lënë hapësirë për spekulime të shumta.
Për një klub me traditë të madhe, me rezultate kulmore në arenën ndërkombëtare dhe me një nivel organizativ që deri më sot është marrë si shembull nga të gjithë, kjo mënyrë e komunikimit (apo mungesa e tij) nuk i bën fare nder emrit të Dritës.
Shqetësimi rritet edhe më shumë kur parashtrohet faktori kohë. Drita luan pas vetëm 4 ditëve në UEFA Conference League, ku do të udhëtojë drejt San Marinos për t’u përballur me Tre Fiori F.C. në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues.
Edhe pse kjo situatë në prag të një përballjeje kaq të rëndësishme evropiane ngjall shqetësim për stabilitetin e ekipit, tifozët dhe opinioni sportiv besojnë se drejtuesit e Dritës do të reagojnë shpejt me një njoftim zyrtar, për të qartësuar emrin e trajnerit të ri dhe për t’i kthyer qetësinë skuadrës para kësaj sfide vendimtare.
