KUJTESË/ Historia e rrugës kryesore të Gjilanit, nga kalldërmi osman te Bulevardi i ri

Nëse gurët e rrugëve do të kishin gojë të flisnin, qendra e Gjilanit do të rrëfente një nga historitë më interesante të infrastrukturës sonë.

Kjo hapësirë, që sot po përgatitet të marrë frymë përmes një bulevardi modern, mban nën tabanin e saj shtresa të tëra historie, secila e shënuar nga epoka dhe ushtri të ndryshme.

Trashëgimia e kalldrëmit osman dhe ndërhyrja e ushtrisë italiane

​Që nga kohët e largëta të Perandorisë Osmane e deri në përplasjet e Luftës së Dytë Botërore, qendra e qytetit mbeti e mbuluar nga kalldërmi tradicional.

Ishin gurë me masa e forma jo të njëjta, të gdhendur me dorë e të shtruar me mund, mbi të cilët kaluan me shekuj qerret me kuaj, tregtarët e qytetarët e vjetër gjilanas.

​Me kalimin e viteve dhe pluhurin e kohës, rruga pësoi dëmtime të shumta.

Një kapitull i panjohur për shumëkënd lidhet me Luftën e Dytë Botërore, kur ushtria italiane, për të lehtësuar kalimin e mjeteve të saj nëpër një rrugë të dëmtuar vende-vende, e mbuloi kalldërmën e vjetër me një shtresë të trashë zalli, duke bërë kështu nivelizimin e parë provizor.

Viti 1956, transformimi me kubëza guri

​Megjithatë, kora e vërtetë e modernizimit urbanistik do të mbërrinte saktësisht shtatë dekada më parë, në vitin 1956.

Fotografitë e rralla të asaj kohe ruajnë dy pamje treguese nga puna e palodhshme për rregullimin e qendrës:

Rregullimi përfundimtar i rrugës me zall për të krijuar një shtrat të fortë e të drejtë.

Zëvendësimi i kalldërmit me gurë të prerë në forma të rregullta katrore,  që në zhargonin e përditshëm njiheshin si “kocka”, ndërsa sot njihen si kubëzat e rrugës.

​Ky ndryshim i dha Gjilanit të asaj kohe frymën e një qyteti që po hynte sigurt drejt shekullit të XX-të.​

Shtatë dekada më pas, bulevardi i ri dhe kujtesa kolektive

​Sot, pas plot 70 vitesh nga ai shtrim historik me kubëza, Gjilani po jeton një tjetër moment kyç.

Fillimi i punimeve për Bulevardin e ri nuk është thjesht një projekt urbanistik i radhës, por vazhdimësia natyrore e një rrugëtimi që nisi nga kalldërmi osman, kaloi përmes zallit italian e kubëzave të vitit 1956, e që sot po merr trajtën e një hapësire moderne evropiane.

​Në çdo gur që lëvizet sot në qendër, pushon një pjesë e kujtesës kolektive të Gjilanit.

FOTO: Faik Zyazade

Shpërndaj me të tjerët