SOCIALE/ Inaugurohet këndi i lodrave në strehimoren “Liria” në Gjilan ​

Në strehimoren “Liria” në Gjilan është inauguruar sot këndi i ri i lodrave, një projekt i realizuar me mbështetjen e Zyrës Turke në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu. ​

Gjatë ceremonisë së inaugurimit u nënvizua se kjo hapësirë e re shërben për lojë, zhvillim dhe rehabilitim emocional të fëmijëve të strehuar.

Këndi i lodrave u ofron atyre një ambient të sigurt ku mund të argëtohen, të socializohen dhe të ndihen të mbrojtur përgjatë qëndrimit të tyre. ​

Me këtë rast, u shpreh mirënjohje dhe falënderim për Zyrën Turke në Kosovë për kontributin e çmuar, si dhe për stafin e Strehimores “Liria” për përkushtimin dhe punën e palodhshme në ofrimin e kujdesit e mbështetjes për gratë dhe fëmijët. ​

U theksua gjithashtu se çdo investim në mirëqenien e fëmijëve është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë shoqërinë.

Shpërndaj me të tjerët