Në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan është mbajtur sot takimi me qytetarë për planifikimin e buxhetit komunal, ku u diskutuan kërkesat, propozimet dhe prioritetet e banorëve për vitin e ardhshëm.
Takimi u kryesua nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, ndërsa të pranishëm me qytetarët ishin edhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, si dhe këshilltari komunal, Fadil Ademi.
Përfaqësuesit komunalë dëgjuan nga afër shqetësimet dhe nevojat e parashtruara nga qytetarët e pranishëm, duke konfirmuar se secila kërkesë dhe propozim i marrë do të shqyrtohet me kujdes gjatë procesit të hartimit final të buxhetit të Komunës së Gjilanit.
Dëgjimet publike me qytetarë mbeten një nga hapat kyç për sigurimin e transparencës dhe alokimin e mjeteve financiare sipas nevojave reale të komunitetit.
