Nga Sevdail Hyseni
Satirike
MISIONI I DEPUTETIT
U zgjodh një deputet,
nga populli me vota,
dha shumë premtime,
por edhe fjalë të kota.
“Do të jem zëri juaj,
gjithmonë aktiv!”
Sapo mori mandatin,
u bë shumë pasiv!
Në fushatë i njihte mirë,
me emër e me derë,
për vete kërkon zgjidhje,
për qytetarët – asnjëherë.
Deputetit në Parlament,
kurrë mos i qofsha falë,
kur erdhi koha e votimit,
kishte një mision global!
Nuk merrej me të papunin,
as me pensionistin e gjorë,
që pret i kërrusur nga halli,
me letra e fatura në dorë.
Ai nuk merret “pa lidhje”
me këto “çështje të vogla”,
për një burrë kaq madhor,
këto janë “dushk për gogla”!
Dhe kështu po vazhdon
misioni i filan deputetit,
me fjalime fort të mëdha
për shqetësimet e planetit.
Populli mbetet poshtë,
me problemet në derë,
kurse deputeti hip lart,
me privilegje përherë.
Ka një seancë Kuvendi,
që kurrë nuk e harron:
kuptohet, atë të pagës,
ku aty Ai voton!
Spica Metalike
(Karikatura marrë nga interneti)
