FC Drita pret sonte ekipin nga San Marino, Tre Fiori FC, në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.
Mec një kapital të sigurt nga ndeshja e parë, ku fituan me rezultat të thellë 4:1 si mysafirë, bardhekaltrit i hyjnë këtij takimi me vetëbesim të lartë dhe me synimin e qartë për të vulosur kualifikimin tutje.
Atmosfera në kampin gjilanas është mjaft pozitive, e ndihmuar edhe nga rikthimi i trajnerit Ardian Nuhiu në krye të shtabit teknik.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Nuhiu është shprehur optimist, duke premtuar jo vetëm kalimin e turit, por edhe një lojë të bukur për tifozët.
”Do të hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën. Përveç rezultatit pozitiv që kërkojmë, synojmë t’u dhurojmë tifozëve tanë edhe një lojë të bukur dhe dominuese,” është shprehur trajneri i bardhekaltrave.
Përveç rikthimit të Nuhiut, lajm tjetër i rëndësishëm për gjilanasit është edhe ardhja e përforcimit më të ri, mesfushorit Eduart Rroca, i cili pritet të sjellë më shumë cilësi dhe përvojë në repartin e mesfushës.
Gjilanasit presin mbështetje të fuqishme nga shkallët e stadiumit për të mbyllur me sukses këtë përballje evropiane.
