Të bardhekuqtë triumfuan 3:1 në udhëtim gjatë xhiros së parë të Albi Mall Superligës.
Gjilani e ka nisur me këmbë të mbarë stinorin e ri të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Të bardhekuqtë arkëtuan trepikëshin e parë duke mposhtur Feronikelin në transfertë me rezultat 3:1, në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit.
Golat fitues për gjilanasit u realizuan nga Granit Jashari, Hamdi Namani dhe Bleart Tolaj (nga pika e bardhë e penalltisë).
Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën vendëse e shënoi Shpfesim Zogu, po ashtu nga penalltia.
Përmes këtij triumfi, Gjilani jep sinjale mjaft pozitive se këtë edicion do të paraqitet me një fytyrë krejt tjetër, pas lëvizjeve dhe përforcimeve të shumta të bëra në kontingjentin e futbollistëve.
Sfidë e radhës për gjilanasit do të jetë sërish jashtë terrenit të tyre: edhe javën e ardhshme Gjilani do të luajë si mysafir kundër Llapit në Podujevë.
