KULTURË/Mërgimtarja nga Austria dhuron librin e saj për Bibliotekën e Gjilanit

Dashamirësja e librit dhe shkrimtarja Bukurije Limani (Graz), e cila jeton dhe vepron në Austri, gjatë ditëve të pushimit në atdhe ka vizituar Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit.

​Gjatë kësaj vizite me karakter sentimental dhe kulturor, autorja u prit nga drejtori i bibliotekës, Qazim Azizi, si dhe nga punonjësja e këtij institucioni, Sanije Ramadani Osmani. Me këtë rast, ajo i dhuroi bibliotekës veprën e saj më të re me titull “Të jesh mësuese në mërgim”.

​Në shenjë falënderimi për kontributin dhe pasurimin e fondit libror, drejtuesit e bibliotekës e vlerësuan autoren me një mirënjohje të veçantë.

​Për autoren Limani, ky rikthim kishte një domethënie të madhe emocionale. Ajo kujtoi se si dikur, si nxënëse e shkollës fillore dhe të mesme në Gjilan, kalonte orët më të lumtura mes rafteve të kësaj biblioteke, ku edhe nisën hapat e saj të parë drejt botës së librit.

​”Libri im tani është pjesë e këtij tempulli të dijes. Ai u kthye në shtëpinë e tij të parë”, është shprehur autorja gjatë vizitës.

Shpërndaj me të tjerët