SIGURI/ Policia ekspozon arsenalin e armëve ushtarake dhe jep detaje për tri varreza masive

Polica e Kosovës ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri”, ku ka zbuluar detaje nga aksionet e realizuara në 48 lokacione të ndryshme të komunës së Zubin Potokut, si dhe ka ekspozuar një arsenal të madh armësh, municioni e pajisjesh ushtarake të konfiskuara.

​Përveç konfiskimit të arsenalit ushtarak, organet e rendit kanë dhënë detaje edhe për progresin në hetimin e “Krimeve të Luftës ndaj Popullatës Civile”.

Në këtë kuadër, në territorin e Zubin Potokut janë zbuluar tri lokacione të dyshuara për varreza masive, ku janë gjetur mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.

​Lidhur me këto krime, Policia njoftoi se tre persona,  me inicialet J. R., M. J., dhe M. B.  ndodhen tashmë në masën e paraburgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

​Të gjitha veprimet e mëtejshme hetimore po vazhdojnë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me organet kompetente të drejtësisë.

Shpërndaj me të tjerët