Komuna e Gjilanit ka përmbyllur me sukses orarin dy-mujor të punës gjatë ditëve të shtunë në Sektorin e Gjendjes Civile, i cili u mundësoi bashkatdhetarëve nga diaspora marrjen e shërbimeve administrative edhe gjatë vikendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Administratës në Gjilan, Elbasan Shabani, i cili përmes një njoftimi ka falënderuar stafin për përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe.
”Sot përmbyllëm ciklin dy-mujor të punës së vazhdueshme gjatë vikendeve, ku edhe të shtunave vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora patën mundësinë të marrin shërbime nga gjendja civile në komunën e Gjilanit. Dy muaj dyert e gjendjes civile kanë qenë të hapura edhe të shtunave, ku ofruam shërbime me përkushtim, përgjegjësi dhe respekt për ta,” ka thënë Shabani.
Ai ka shprehur një mirënjohje të veçantë për zyrtarët e gjendjes civile që u vunë në shërbim të qytetarëve edhe gjatë ditëve të pushimit.
”Një falënderim i veçantë dhe i sinqertë shkon për të gjithë zyrtarët e gjendjes civile, të cilët me përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm zgjodhën të jenë në shërbim të qytetarëve edhe gjatë ditëve të vikendit. Faleminderit për punën dhe përkushtimin tuaj! Respekt për secilin prej jush!”, përfundoi drejtori i Administratës në Gjilan.
