HUMANE/ ​Pije dhe ujë freskues për nxënësit e Gjilanit para fillimit të vitit të ri shkollor

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, i shoqëruar nga dy miqtë e tij, Selami Neziri dhe Dushi Bunjaku, kanë ndërmarrë një tjetër iniciativë me karakter humanitar në shërbim të komunitetit lokal.

​Përmes këtij aktiviteti, ata vizituan disa vatra arsimore të Komunës së Gjilanit për t’u shpërndarë fëmijëve pije freskuese dhe ujë, duke u dëshiruar atyre një start sa më të mbarë e me buzëqeshje në rrugëtimin e ri të dijes.

Ky aksion u realizua me mbështetjen e kompanive vendore “Jaffa Plus”, uji “Trepika” dhe uji “Dea”.

​Me këtë rast, këshilltari Ademi theksoi se vlera e këtij gjesti qëndron te mesazhi dhe gëzimi që u përcillet fëmijëve:

​”Bashkë me Selamin dhe Dushin e filluam këtë aktivitet për fëmijët, me dëshirën që para fillimit të shkollës me bo diçka të vogël për ta dhe me ua sjellë një buzëqeshje. Ndoshta për dikë është vetëm një shishe ujë apo një lëng, por për ne çdo buzëqeshje e fëmijëve ka shumë vlerë. Të gjithë nxënësve ju urojmë një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Ju urojmë shumë sukses, ditë të bukura dhe plot buzëqeshje gjatë këtij viti shkollor!”

Kjo iniciativë përfshiu një rrjet të gjerë shkollash si në qytet ashtu edhe në fshatrat e Gjilanit.

Në kuadër të këtij aksioni, nxënësit në shkollën e Velekincës u freskuan me lëngje nga Jaffa Plus.

Ndërkaq, me ujë Trepika u furnizuan nxënësit e shkollave fillore “Thimi Mitko”, “Selami Hallaqi” dhe “Sadullah Brestovci” në qytet, si dhe shkollat “Agim Ramadani” në Zhegër e “Bajram Curri” në Shurdhan.

Po ashtu, me ujë Dea u mbështetën nxënësit e shkollës “Avdullah Tahiri” në Malishevë dhe ajo “Abaz Ajeti” në lagjen Arbëri.

​Në përmbyllje, organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre të thellë ndaj kompanive “Jaffa Plus”, uji “Trepika” dhe “Dea” për përkrahjen e ofruar, si dhe falënderuan të gjithë ata që besojnë e mbështesin nisma të tilla për komunitetin, duke paralajmëruar vazhdimësinë e aktiviteteve të ngjashme.

Shpërndaj me të tjerët