Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar publikisht ndaj qëndrimeve të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), duke kërkuar që ky organizim të ruajë neutralitetin dhe të përfaqësojë interesat e të gjitha 38 komunave të vendit, pa u shndërruar në hapësirë për përplasje politike me Qeverinë.
Përmes një deklarate, Hyseni ka kontestuar pretendimet e Drejtorit Ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi, lidhur me heqjen ose mungesën e mjeteve financiare për nivelin lokal.
Kryetari i Gjilanit ka paraqitur shifra mbi ecurinë e buxhetit komunal, duke nëvizuar se financimi për komunat ka shënuar rritje nga 546 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 907 milionë euro sa parashikohet të arrijë në vitin 2027, çka sipas tij përbën një rritje prej rreth 66 për qind.
Ai shtoi se këto mjetet kthehen te qytetarët përmes investimeve dhe projekteve të ndryshme kapilare.
Përveç çështjes së buxhetit, Hyseni ngriti edhe temën e Kontratës Kolektive, duke rikujtuar se pasojat financiare të kësaj marrëveshjeje, të nënshkruar gjatë qeverisjeve të kaluara, kanë rënduar mbi financat komunale, ndërsa sipas tij zëri i Asociacionit ka munguar në atë periudhë.
Në përfundim të reagimit të tij, kreu i Gjilanit apeloi për një qasje joselektive dhe bashkëpunim institucional ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, duke kërkuar shmangien e tensioneve politike në dobi të punës dhe investimeve në terren.
