Klubi kampion i Kosovës në futboll, FC Drita, ka pritur sot në një vizitë drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të ardhur nga Prishtina.
Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të klubit bardhekaltër, bëhet me dije se fokusi i këtij takimi kishte të bënte edhe me mbështetjen e iniciativave qytetare e kombëtare.
Klubi gjilanas ka shfrytëzuar këtë moment për t’u bërë thirrje të gjithë tifozëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen marshit të paralajmëruar për muajin shtator.
”12 shtatori është data kur të gjithë duhet të jemi bashkë në Marshin për çlirimtarët”, thuhet në njoftimin e FC Dritës, duke e shoqëruar mesazhin edhe me moton e njohur #LiriaKaEmërUÇK.
