ARSIM/Pensionohet pas 40 vitesh në arsim Fatmir Selimi, mësuesi e ish-zëvendësdrejtori i shkollës “Selam Hallaçi” në Gjilan

Pas katër dekadash përkushtimi e kontributi të pashoq në edukimin e gjeneratave të reja, mësuesi dhe ish-zëvendësdrejtori i SHFMU “Selam Hallaçi” në Gjilan, Fatmir Selimi, ka përmbyllur zyrtarisht rrugëtimin e tij profesional në arsim.

​Përmes një mesazhi prekës e plot mirënjohjeje, Selimi ka reflektuar mbi 40 vitet e tij të punës, duke e cilësuar këtë periudhë jo thjesht si vite pune, por si një pjesë të çmueshme jete, sakrifice dhe kujtimesh që nuk fshihen lehtë.

​Gjatë karrierës së tij të gjatë, përveç se si mësimdhënës i dashur për nxënësit, Selimi shërbeu për më shumë se një dekadë edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit të shkollës, me bindjen e palëkundur se shkolla është vendi ku ndërtohet e ardhmja e shoqërisë.

​Me rastin e pensionimit, ai ka shprehur falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata që e shoqëruan në këtë udhëtim profesional.

​”Faleminderit kolegëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, stafit udhëheqës dhe punëtorëve teknikë për përkrahjen, nxënësit për respektin dhe prindërit për bashkëpunimin e besimin. Sot po largohem nga detyra, por nuk po i lë pas kujtimet. Ato do të mbeten gjithmonë me mua,” është shprehur mes tjerash Selimi.

Shpërndaj me të tjerët