Njoftim me rëndësi nga Shëndetësia në Gjilan
Pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, është mbajtur takimi i radhës i Ekipit të Kujdestarisë së Antibiotikëve.
Ky takim u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për zbatimin e Procedurës Standarde të Operimit lidhur me menaxhimin dhe kontrollin e përdorimit të barneve antimikrobike në kujdesin parësor shëndetësor.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e ekipit shkëmbyen mendime dhe përcaktuan udhëzimet kryesore lidhur me përdorimin sa më racional, të matur dhe të sigurt të antibiotikëve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua monitorimit të rregullt të përshkrimit të këtyre barnave nga mjekët e familjes, si dhe marrjes së masave parandaluese ndaj dukurisë shqetësuese të rezistencës antimikrobike.
Gjithashtu, u përcaktuan qartë përgjegjësitë individuale dhe detyrat e përbashkëta të personelit shëndetësor për zbatimin e mëtutjeshëm të këtyre masave.
Përmes këtij angazhimi, institucioni synon të sigurojë një shërbim sa më cilësor për pacientët dhe të mbrojë shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve nga përdorimi i pamatur i medikamenteve.
