Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan ka pritur sot në një takim zyrtar znj. Ikuko INOUE, Koordinatore e Grantit pranë Ambasadës së Japonisë, për të diskutuar mundësitë e investimit dhe mbështetjes financiare me pajisje të nevojshme mjekësore.
Fokusi kryesor i këtij takimi ishte modernizimi i Departamentit të Radiologjisë përmes sigurimit të pajisjeve të reja diagnostikuese, si dhe furnizimi me defibrilatorë për rritjen e kapaciteteve në përballimin e rasteve emergjente.
Gjatë vizitës, përfaqësuesja e Ambasadës së Japonisë pa nga afër hapësirat e radiologjisë dhe zonën e renovuar ku planifikohet vendosja e aparaturave të reja.
Në kuadër të këtij vëzhgimi u paraqitën edhe nevojat konkrete teknike dhe infrastrukturore të kësaj qendre.
Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjilan, Mimoza Kadriu, e vlerësoi këtë takim si një hap përcaktues drejt konkretizimit të bashkëpunimit me Ambasadën e Japonisë, me synim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e infrastrukturës mjekësore për të gjithë qytetarët e Gjilanit.
