Në Spitalin e Gjilanit pensionohet ortopedi i njohur, Dr. Musë Jashari – menaxhmenti e nderon me mirënjohje për karrierën e tij
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit sot ka përcjellë në pension ortopedin e njohur, Dr. Musë Jashari, pas një karriere të gjatë e të përkushtuar në shërbim të pacientëve dhe këtij institucioni shëndetësor.
Me këtë rast, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, shprehu vlerësimin e tij të lartë për punën dhe kontributin e Dr. Jasharit ndër vite.
”Është kënaqësi për mua që sot ta përcjellim në pension një profesionist të përkushtuar në fushën e Ortopedisë, ku gjatë karrierës suaj keni dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në punë,” u shpreh Dr. Cana.
Në shenjë falënderimi për përkushtimin e tij shumëvjeçar, menaxhmenti i spitalit i ndau Dr. Musë Jasharit një mirënjohje si shprehje respekti për punën e tij të palodhshme në shërbim të pacientëve.
Në mbyllje të këtij takimi solemn, menaxhmenti dhe koleget e falënderuan Dr. Jasharin për gjithçka që ka dhënë për institucionin, duke i uruar shëndet të plotë dhe momente të bukura në kapitullin e ri të jetës.
