Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, i shoqëruar nga udhëheqësit e departamenteve të gjykatës dhe administrata, ka pritur sot në një takim zyrtar Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Rrustem Thaqi, si dhe Drejtorin e Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi.
Në këtë takim morën pjesë edhe gjyqtarët dhe udhëheqësit e departamenteve: Agim Ademi, Sahit Boroci, Mevlide Shabani, Arben Xheladini, Bekim Salihu, si dhe Administratori i Gjykatës Themelore në Gjilan, Shkëlqim Dushica.
Gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e punës në Gjykatën Themelore të Gjilanit, sfidat me të cilat përballet ky sistem gjyqësor, efikasitetin në trajtimin e lëndëve, si dhe për përpjekjet e përbashkëta në rritjen e transparencës dhe llogariadhënies përballë qytetarëve.
Kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, shprehu mbështetjen e Këshillit për konsolidimin e mëtejshëm të kapaciteteve të gjykatës, me qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
