Në kuadër të aktiviteteve të Klubeve të Kryqit të Kuq në shkolla, sot në gjimnazin shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan u mbajt një aktivitet i rëndësishëm ndërgjegjësues me temën “Ndihma e Parë në shkolla”.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim të ngushtë me instruktoren e Ndihmës së Parë, Xhemile Haliti, si dhe stafin e degës së Kryqit të Kuq në Gjilan.
Gjatë këtij takimi, nxënësit patën mundësinë të njihen më afër me rregullat bazë të dhënies së ndihmës së parë, hapat e nevojshëm në rast emergjencash në ambientet shkollore dhe rëndësinë e reagimit të shpejtë për shpëtimin e jetës.
Organizimi i aktiviteteve të tilla synon aftësimin e të rinjve dhe ngritjen e vetëdijes komunitare, duke i përgatitur ata për të qenë më të sigurt dhe të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë tjetrit në çdo situatë sfiduese.
