SPORT/Drita fiton Superkupën e Kosovës te vajzat në volejboll

Gjilan, 3 tetor 2026,- KV Drita e ka nisur me trofe sezonin e ri 2026/27, duke triumfuar në Superkupën e Kosovës për femra përballë skuadrës Fer Volley me rezultat 3-1 në sete.

​Ndeshja e zhvilluar në palestrën sportive “Bill Klinton” në Ferizaj solli rivalitet dhe lojë cilësore, me KV Dritën që kontrolloi pjesën më të madhe të takimit.

Vashat gjilanase e nisën ndeshjen me ritëm të lartë duke fituar dy setet e para me shifrat 25:19 dhe 25:20.

​Fer Volley reagoi në setin e tretë, të cilin e rrëmbeu pas një beteje të fortë dhe me rivalitet të madh me rezultat 28:26.

Megjithatë, KV Drita u rikthye fuqishëm në setin e katërt, ku dominoi plotësisht me shifrat 25:14 për të mbyllur ndeshjen dhe për të siguruar trofeun e parë të këtij edicioni.

​Rezultati sipas seteve: 19:25, 20:25, 28:26 dhe 14:25.

​MVP e finales u shpall Eylül Boztepe, 20-vjeçarja turke e KV Drita, e cila çmimin e pranoi nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci.

​Momenti kulmor i ceremonisë ishte ndarja e trofeut të Superkupës, të cilin kapitenes së Dritës, Adelajda Prenga, ia dorëzoi po ashtu i pari i volejbollit kosovar, Bahri Gjinovci.

​Ky është një tjetër trofe që i shtohet historisë së pasur të Dritës, në një natë të veçantë për volejbollin kosovar. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët