ARSIM/Marianne Herzog ligjëron në UKZ për pedagogjinë e traumës dhe migracionit

Gjilan, 5 tetor 2026 – Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka njoftuar organizimin e një ligjërate me eksperten ndërkombëtare Marianne Herzog, mësuese, autore dhe specialiste e pedagogjisë së traumës pranë SIPT – Schweizer Institut für Psychotraumatologie në Zvicër.

​Ligjërata do të mbahet më 9 tetor 2026, në orën 16:00, në sallën B02 të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

​Marianne Herzog gëzon një përvojë të gjatë profesionale në fushën e pedagogjisë së traumës, migracionit dhe arsimit, si dhe ligjëron në universitete dhe institucione të arsimit të lartë brenda dhe jashtë Zvicrës.

Ajo është gjithashtu supervizore dhe trajnere e certifikuar nga BSO (Berufsverband für Supervision, Organisationsberatung und Coaching).

​Gjatë angazhimit të saj pranë Departamentit të Arsimit të Kantonit të Bazelit, Herzog ka këshilluar dhe mbështetur profesionistë që punojnë me fëmijë me prejardhje migrimi, me fokus në përballimin e përvojave të traumës dhe ruajtjen e mirëqenies së fëmijëve e të rinjve.

Që nga viti 2018, ajo vepron si eksperte e pavarur në këtë fushë.

​Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit do të njihen me qasjet bashkëkohore të pedagogjisë së traumës dhe rëndësinë e tyre në punën edukative, veçanërisht në kontekstin e migracionit dhe përvojave të vështira jetësore.

​Nga UKZ u është bërë ftesë studentëve, stafit akademik dhe të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në këtë ligjëratë për të përfituar nga përvoja dhe ekspertiza e ligjërueses. dita24h /

Shpërndaj me të tjerët