Gjilan, 5 tetor 2026 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan po organizojnë ngjarjen “Anamorava Economic Forum”, e cila do të mbahet më 8 Tetor 2026, duke filluar nga ora 10:00 në “Vali Ranch Resort & Congress Center”.
Ky forum organizohet me mbështetjen e Caritas Zvicër dhe synon të shërbejë si një platformë bashkëpunimi ku bëhen bashkë institucionet, akademia, komuniteti i biznesit, investitorët dhe diaspora, për të diskutuar dhe promovuar mundësitë e zhvillimit ekonomik në rajonin e Anamoravës.
Gjatë punimeve të forumit, profesorët e Universitetit “Kadri Zeka” do të prezantojnë ekspertizën e tyre akademike lidhur me potencialin e rajonit për investime dhe sektorët me mundësi zhvillimore.
Po ashtu, Drejtoritë për Zhvillim Ekonomik të komunave të Anamoravës do të shpalosin projekte dhe potenciale konkrete për bizneset dhe investitorët e interesuar.
Aktiviteti do të përfshijë prezantime informuese, panele diskutimi profesional, takime të drejtpërdrejta B2B ndërmjet bizneseve e partnerëve potencialë, si dhe hapësirë për rrjetëzim dhe ndërtim të partneriteteve afatgjata.
Përfaqësuesit e bizneseve lokale dhe të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë në forum mund të aplikojnë përmes platformës B2B të Odës Ekonomike të Kosovës, duke u regjistruar në platformë, duke lundruar te rubrika ‘Ngjarjet’ dhe duke përzgjedhur ‘Anamorava Economic Forum’./dita24h /
