Gjilan, 5 tetor 2026 – Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka njoftuar organizimin e një ligjërate me eksperten ndërkombëtare Marianne Herzog, mësuese, autore dhe specialiste e pedagogjisë së traumës pranë SIPT – Schweizer Institut für Psychotraumatologie në Zvicër.
Ligjërata do të mbahet më 9 tetor 2026, në orën 16:00, në sallën B02 të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Marianne Herzog gëzon një përvojë të gjatë profesionale në fushën e pedagogjisë së traumës, migracionit dhe arsimit, si dhe ligjëron në universitete dhe institucione të arsimit të lartë brenda dhe jashtë Zvicrës.
Ajo është gjithashtu supervizore dhe trajnere e certifikuar nga BSO (Berufsverband für Supervision, Organisationsberatung und Coaching).
Gjatë angazhimit të saj pranë Departamentit të Arsimit të Kantonit të Bazelit, Herzog ka këshilluar dhe mbështetur profesionistë që punojnë me fëmijë me prejardhje migrimi, me fokus në përballimin e përvojave të traumës dhe ruajtjen e mirëqenies së fëmijëve e të rinjve.
Që nga viti 2018, ajo vepron si eksperte e pavarur në këtë fushë.
Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit do të njihen me qasjet bashkëkohore të pedagogjisë së traumës dhe rëndësinë e tyre në punën edukative, veçanërisht në kontekstin e migracionit dhe përvojave të vështira jetësore.
Nga UKZ u është bërë ftesë studentëve, stafit akademik dhe të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në këtë ligjëratë për të përfituar nga përvoja dhe ekspertiza e ligjërueses. dita24h /
