ARSIM/Shkolla në Velekincë siguron klima për të gjitha mësonjtoret me donacione të vullnetmirëve

Shkolla 9-vjeçare “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë të komunës së Gjilanit ka arritur të kompletojë të gjitha 14 mësonjtoret e saj me pajisje klimatizimi, falë mbështetjes së donatorëve vullnetmirë dhe angazhimit të drejtorit të shkollës, Zaim Zymeri.

​Klima e 14-të me radhë ka arritur këtë të diele, si donacion nga familja Zeqiri.

​Përmes një njoftimi, drejtori Zymeri ka shprehur falënderimet e tij për këtë kontribut të rëndësishëm për kushtet e nxënësve.

​”Edhe pse sot është e diel, në shkollën tonë pranuam me shumë kënaqësi një donacion të çmuar për nxënësit tanë, një klimë për një nga klasat e shkollës. Ky donacion u dhurua nga familja Zeqiri, vëllezërit Alban Zeqiri dhe Besart N. Zeqiri, të cilët edhe kësaj radhe dëshmuan se dashuria për shkollën dhe për fëmijët shprehet me vepra konkrete. Faleminderit nga zemra, Alban dhe Besart, shumë mirënjohës për ju dhe për familjen tuaj!”, ka thënë drejtori Zymeri.

​Sipas tij, pas këtij donacioni ka mbetur vetëm edhe salla e arsimtarëve pa pajisje klimatizimi.

Me sigurimin e këtyre klimave në çdo klasë, ngrohja qendrore e shkollës do të përdoret vetëm gjatë ditëve më të ftohta të dimrit.

​”Bashkë, për një shkollë më të mirë dhe më të ngrohtë për nxënësit tanë!”, është shprehur ai. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët