SPORT/KV Drita stoliset me medalje të bronztë në Kupën Ballkanike 2026

KV Drita ka shënuar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke siguruar medaljen e bronztë në BVA Kupën Ballkanike 2026, e cila u zhvillua në Strumicë të Maqedonisë së Veriut.

Vashat gjilanase, që përfaqësuan Kosovën denjësisht në këtë garë rajonale, ngjitën shkallët e podiumit falë paraqitjeve dinjitoze.

​Pavarësisht se në ndeshjen e fundit pësuan humbje ndaj gjigantit bullgar CSKA Sofia me rezultat 3–1 në sete, fitorja e parë ndaj skuadrës vendase Nakovski Volley (3–1) u mjaftoi gjilanaseve për ta mbyllur turneun në vendin e tretë.

​Ndeshja ndaj CSKA Sofjes dhuroi rivalitet të madh që nga pikët e para. Seti i parë u fitua nga bullgaret me shifrat 25:19, ndërsa i dyti ishte mjaft i ngushtë, ku Drita luftoi deri në pikët e fundit por lëshoi fitoren me rezultat 25:23.

​Reagimi fantastik i KV Dritës erdhi në setin e tretë. Me një lojë mjaft efikase dhe përkushtim maksimal, gjilanaset triumfuan 25:22 duke ngushtuar epërsinë e CSKA-së.

Megjithatë, në setin e katërt skuadra nga Sofja riktheu kontrollin e lojës dhe e mbylli atë 25:15, për të vulosur fitoren 3–1.

​Kjo medalje e bronztë përbën një sukses të rëndësishëm dhe një përvojë mjaft të çmueshme ndërkombëtare për KV Dritën dhe volejbollin kosovar në përgjithësi.

Shpërndaj me të tjerët