Me moton “Me ngjyrat e zemrës dhe ëndrrat tona, së bashku pikturojmë Gjilanin që duam!”, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan ka shënuar 10 Tetorin – Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, përmes një aktiviteti të veçantë dedikuar fëmijëve me nevoja të veçanta.
Përmes ngjyrave, kreativitetit dhe imagjinatës, fëmijët shprehën botën e tyre të pasur artistike, duke përçuar mesazhin se shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqenies së gjithmbarshme shoqërore.
Nga Drejtoria e Shëndetësisë u theksua se kujdesi, pranimi, mbështetja dhe gjithëpërfshirja janë elemente thelbësore për zhvillimin e çdo fëmije.
“Çdo ngjyrë e hedhur në telajo ishte një mesazh dashurie, shprese dhe besimi. Çdo fëmijë ka talentin, ëndrrat dhe potencialin e tij, të cilat meritojnë të shihen, të vlerësohen dhe të mbështeten”, u tha gjatë këtij aktiviteti.
Organizimi u realizua në bashkëpunim me OJQ-në “Miqësia”, drejtorin e Shkollës së Artit në Gjilan, Roland Masurica, si dhe nxënësit e kësaj shkolle, të cilët dhanë një kontribut të çmueshëm në realizimin e kësaj ngjarjeje domethënëse.
Nga ky aktivitet u uroll thirrja për ndërtimin e një shoqërie ku flitet lirshëm për shëndetin mendor, ku respektohen dallimet dhe ku secili qytetar ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe i përfshirë, me misionin e përbashkët për barazi dhe mirëqenie për të gjithë. / dita24h /
