Nga Ma. Sc. Besnik Sherifi
Shëndeti mendor luan një rol përcaktues në mënyrën se si njerëzit ndihen, sillen dhe mendojnë, i parë kjo nga këndvështrimi i modelit biologjik, psikologjik dhe social. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “Shëndeti mendor është një gjendje mirëqenieje në të cilën individi realizon aftësitë e tij, mund të përballojë streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive e frutdhënëse dhe është në gjendje të kontribuojë në komunitetin e tij”.
Kur flasim për shëndetin mendor, kemi të bëjmë drejtpërdrejt me mënyrën e të menduarit, zgjidhjen e problemeve, gjendjen psikologjike të individit, si dhe mënyrën e reagimit e të komunikimit në raport me të tjerët. Njeriu, varësisht nga situatat e ndryshme, ndryshon dhe reagon sepse përjeton dhimbje, lëndim apo gjallërim emocional. Megjithatë, duke e konsideruar veten emocionalisht të shëndetshëm, me një vetëvlerësim të qëndrueshëm dhe ndjenjë vetëbesimi — që janë komponentë vendimtarë për mirëqenien mendore e emocionale — krizat e ndryshme sociale dhe emocionale mund të tejkalohen me sukses.
Të jesh emocionalisht i shëndetshëm do të thotë që reagimet të jenë të arsyeshme dhe të mos kemi ngritje e rënie drastike emocionale. Sipas psikologut James (2014), kur jemi emocionalisht të shëndetshëm, zotërojmë një kod tonin etik të përhershëm, përmes të cilit dallojmë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Shëndeti mendor dhe emocional luan rol të rëndësishëm në situata të ndryshme në mënyrën e tejkalimit të krizave, sfidave e vështirësive të cilat njeriun e kaplojnë dhe e bëjnë të reagojë.
Përditësimi me situata të ndryshme stresuese — si problemet në punë, humbja e një personi të afërt, konfliktet familjare apo sociale, divorcet dhe përjetimi i ndonjë sëmundjeje të rëndë — ndikon thellësisht në botën psikike të individit dhe rëndon gjendjen psiko-emocionale. Për këtë arsye, e gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme për nevojën e ofrimit të mbështetjes së duhur kur njerëzit përjetojnë stres, depresion apo ankth për shkak të ngjarjeve shqetësuese e traumatike, si në nivel global ashtu edhe në atë individual.
Ekzistojnë disa çështje kyçe të shëndetit mendor që ndikojnë pozitivisht te individi, familja dhe shoqëria. Së pari, është aftësia për të kuptuar veten dhe analizimi i ngjarjeve përmes shqyrtimit të së kaluarës për të kuptuar pse mendoni, ndiheni dhe veproni në një mënyrë të caktuar. Së dyti, të jetuarit në të tashmen, pretendimet e shëndetshme për të ardhmen dhe një vetëdije e fortë për unin e identitetin luajnë rol vendimtar. Po ashtu, marrëdhëniet tolerante e të ndërsjella, që mundësojnë ndërveprimin e lirshëm, aktiv, bashkëpunues dhe kreativ, si dhe të jetuarit sipas vlerave në të cilat besojmë vetë e jo atyre të imponuara, krijojnë stabilitet emocional. Në fund, gjallëria, argëtimi dhe aktivitetet e ndryshme rekreative ndihmojnë organizmin të lëvizë, të menaxhojë dhe të sfidojë mendimet negative që rëndojnë gjendjen psikologjike.
Kur ndodhemi përballë vështirësive që ngarkojnë proceset kognitive dhe emocionale, është mjaft e rëndësishme të kërkohet ndihmë dhe mbështetje psikologjike. Trajtimi i sfidave nga një këndvështrim racional tregon se ekzistojnë rrugëdalje dhe se zgjidhja më e mirë është përpjekja për të gjetur alternativa që sjellin progres, zhvillim dhe harmoni për veten e të tjerët. Marrja e rrugës për te psikologu nuk do të thotë patjetër se keni një problem mendor; çështjet e këshillimit që trajtohen nga psikologu variojnë sipas natyrës së shqetësimit që përjetoni.
(Autori është specialist i psikologjisë klinike)
