ARSIM/Pas gati tri dekadash kontribut, pensionohet sekretari i shkollës “Ramiz Cërnica”, Sedat Hoxha

Pas gati tri dekadash përkushtim dhe punë të palodhur në arsimin shqip, është pensionuar sekretari i shkollës fillore “Ramiz Cërnica” në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit, Sedat Hoxha.

Me një rrugëtim të pasur jetësor, arsimor e atdhetar, ai përmbyll një kapitull të rëndësishëm profesional duke lënë gjurmë të thella te brezat e nxënësve dhe kolektivit arsimor.

​Formimi arsimor dhe angazhimi i hershëm shoqëror

​Sedat Hoxha u lind më 8 tetor 1961 në fshatin Cërnicë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmin e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

​Qysh në vitet ’70-ta, si nxënës i shkollës së mesme, ai u bë pjesë e aktiviteve kulturore e sportive të fshatit, të cilat udhëhiqeshin nga i ndjeri Nazmi Hoxha, burgosur politik, si dhe nga mësimdhënësit e asaj kohe.

Sedat Hoxha ishte pjesë e grupit dramatik si aktor në shfaqjen “Shtatë Shaljanët”, me të cilën interpretuan në fshatra të shumta të komunave të Gjilanit dhe Kamenicës.

​Përballja me represionin dhe kontributi gjatë viteve ’80 e ’90

​Gjatë viteve 1980–1981 ai shërbeu në ushtrinë e atëhershme jugosllave, ku pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, pozita e ushtarëve shqiptarë u vështirësua së tepërmi.

Me t’u kthyer nga shërbimi ushtarak në vitin 1982, ai nisi studimet juridike dhe mori pjesë në protestat e atëhershme, të cilat u shpërndanë me dhunë nga milicia serbe.

​Përgjatë viteve ’80-ta dhe ’90-ta, në periudhën e suprimimit të autonomisë dhe ndryshimeve kushtetuese, Sedat Hoxha ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat që organizoheshin në Komunën e Gjilanit.

Gjatë dekadës së dytë të represionit serb, ai u angazhua në Këshillin për Financim të fshatit Cërnicë, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi të lartë për të mbajtur gjallë arsimin paraleltë shqip, si dhe mori pjesë në menaxhimin e situatës së rëndë në fshat.

​Gjatë luftës së viteve 1998/99, familja e tij përjetoi fatin e dhimbshëm të dëbimit me dhunë nga forcat serbe, ashtu si mijëra familje të tjera kosovare, për t’u rikthyer në qershor të vitit 1999 për të rindërtuar jetën në liri.

​Përkushtimi në shkollën “Ramiz Cërnica”

​Në vitin 1999, Sedat Hoxha u punësua në Shkollën Fillore “Ramiz Cërnica” në Cërnicë si mësimdhënës i lëndës Edukatë Qytetare.

Për 9 vite me radhë punoi me ditar në dorë e me përkushtim ndaj nxënësve, për të kaluar më pas në detyrën e sekretarit të shkollës, ku shërbeu në aspektin administrativ deri në pensionim.

​Gjatë kësaj karriere, ai pati privilegjin të punojë me mësuesit e tij të fëmijërisë, me nxënësit dhe me kolegët e gjeneratës, duke ndërtuar gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera njerëzore, respekt dhe frymë bashkëpunimi brenda kolektivit.

​I martuar dhe rrethuar nga ngrohtësia familjare e bashkëshortes, djemve, rejave, nipave e mbesave, Sedat Hoxha largohet nga shkolla fizikisht, por me mendje e zemër mbetet përgjithmonë pranë shkollës “Ramiz Cërnica” dhe brezave që vazhdojnë rrugën e dijes./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët