Lajmi për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e një personi tjetër në fshatin Livoç i Ulët të Komunës së Gjilanit ka tronditur thellë opinionin publik.
Mbi këtë ngjarje të rëndë ka reaguar kryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan, Sokol Haziri, i cili ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka kërkuar veprime të menjëhershme e parandaluese nga institucionet e rendit.
Postimi i plotë i Sokol Hazirit:
“Vrasja e dy personave dhe plagosja e një tjetri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit, është një ngjarje tragjike që trondit çdo qytetar dhe kërkon reagim të vendosur institucional.
Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta në këto momente të rënda.
Jeta e njeriut është e shenjtë dhe mbrojtja e saj duhet të jetë detyra parësore e çdo institucioni shtetëror. Autoritetet e rendit dhe të drejtësisë duhet të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e plotë të rastit, vënien e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Nuk mjafton vetëm reagimi pas tragjedive. Nevojiten parandalim, prani më e përgjegjshme institucionale dhe masa konkrete që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Shteti duhet të jetë aty për ta mbrojtur jetën e qytetarëve, jo vetëm për të reaguar pasi ajo të humbet. Siguria e qytetarit nuk është privilegj, por e drejtë themelore dhe obligim i panegociueshëm i institucioneve.”/dita24h/
