LOKALE/Sulmohet nga qentë endacakë imami i xhamisë së Dermahallës në Gjilan

Imami i xhamisë së lagjes Dermahalla në Gjilan, Naser Halimi, është sulmuar nga një grup qensh endacakë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, teksa po udhëtonte për në objektin fetar për faljen e namazit të sabahut.

​Lajmin e ka bërë të ditur vetë imami përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku ka sqaruar se si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime trupore dhe tronditje psikologjike.

​Në postimin e tij, Halimi ka përshkruar përballjen me kafshët endacake si një situatë mjaft të rëndë dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, ndërsa ka njoftuar se ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor nga ekipi i emergjencës sipas procedurave standarde.

​Me këtë rast, imami ka shprehur falënderime për reagimin e shpejtë të stafit shëndetësor, si dhe për ndërhyrjen e disa qytetarëve të cilët kanë ndihmuar në parandalimin e pasojave më të rënda.

​Përmes këtij njoftimi, ai u ka bërë thirrje organëve kompetente komunale dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente dhe serioze për zgjidhjen e problemit të qenëve endacakë, duke e cilësuar praninë e tyre si një rrezik konstant për sigurinë e qytetarëve.

Shpërndaj me të tjerët