Me përfundimin e sezonit të sivjetmë turistik, afaristi i njohur nga Gjilani, Selver Xhelili, pronar i kompleksit të njohur “Hotel 6 Milje & La Luna Resort” në Ksamil, ka njoftuar mbylljen zyrtare të dyerve për këtë vit nga data 15 tetor 2026.
Përmes një mesazhi falënderues drejtuar pushuesve dhe mysafirëve, Xhelili ka bërë të ditur se gjatë sezonit veror 2026 kompleksi i tij ka mirëpritur rreth 15 mijë turistë nga vende të ndryshme.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për besimin që mysafirët i dhanë biznesit të tij në një nga destinacionet më të vizituara të bregdetit shqiptar, ndërsa ka premtuar se për sezonin e ardhshëm 2027 do të rikthehen me shërbime edhe më të ngritura e përkushtim të shtuar.
Njoftimi i plotë nga Selver Xhelili:
“Të nderuar dhe të dashur mysafirë të Hotel 6 Milje & La Luna Resort,
Me përfundimin e sezonit turistik 2026, ju njoftojmë se nga data 15 tetor 2026, Hotel 6 Milje & La Luna Resort mbyll zyrtarisht dyert për këtë sezon.
Ky ishte një sezon i veçantë, gjatë të cilit patëm kënaqësinë dhe privilegjin të mirëpresim rreth 15.000 turistë, të cilët na besuan ditët më të bukura të pushimeve të tyre.
15.000 mysafirë, 15.000 arsye për të qenë mirënjohës dhe 15.000 falënderime nga zemra!
Faleminderit secilit prej jush që zgjodhët hotelin tonë, që na dhuruat besimin tuaj dhe që u bëtë pjesë e historisë sonë.
Ju premtojmë se në sezonin turistik 2027 do të rikthehemi edhe më të përgatitur, me shërbime të përmirësuara, përkushtim edhe më të madh dhe me synimin që çdo qëndrim i juaji të jetë një përvojë edhe më e veçantë.
Dyert tona mbyllen për këtë sezon, por mirënjohja dhe mikpritja jonë mbeten gjithmonë të hapura për ju!
Me respekt,
Selver Xhelili
Hotel 6 Milje & La Luna Resort”
