PROFIL/Mexhit Devaja, intelektuali që udhëhoqi me përkushtim arsimin, bankat dhe hendbollin e Kosovës

Mexhit Devaja mbetet një nga figurat më me ndikim në historinë e re të Anamoravës dhe Kosovës.

Me një karrierë mbi 42-vjeçare të shtrirë në arsim, sistemin bankar dhe sport, ai përfaqëson shembullin e intelektualit atdhetar që vuri talentin, disiplinën dhe sakrificën personale në shërbim të komunitetit dhe shtetndërtimit.

​Nga bankat e shkollës te dashuria për matematikën

​I lindur më 1948 në Radivojc të Vitisë, në një familje intelektuale, atdhetare e përparimtare, Mexhit Devaja arsimin fillor e kreu mes fshatit të lindjes dhe Pozhoranit. Rrugëtimin e vazhdoi në Shkollën e Mesme Ekonomike në Gjilan, ku u dallua si një nga nxënësit më të shkëlqyer të gjeneratës.

​Afiniteti i tij i jashtëzakonshëm për shkencat egzakte e shtyu drejt Zagrebit. Në provimet pranuese të Fakultetit të Matematikës në Universitetin e Zagrebit, ai dhe shoku i tij i klasës zunë vendet e para në listën e pranimit.

​Mirëpo, për shkak të kushteve të vështira ekonomike të kohës, me mirëkuptim ndaj prindit, ai vendosi t’i vazhdojë studimet në Kosovë.

Pa humbur kohë, u regjistrua në Shkollën e Lartë me drejtimin e Matematikës në Prizren, të cilën e përfundoi me sukses në vitin 1970.

​Mësuesi i dashur nga nxënësit dhe kolegët

​Për shkak të mungesës së kuadrove deficitare, ende pa i përfunduar mirë studimet, Devaja u angazhua si arsimtar në fshatin Lubizhdë të Malishevës. Pas kësaj përvoje, në vitin 1970 nisi karrierën si mësimdhënës i diplomuar i matematikës në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan.

​Për 7 vjet me radhë, ai iu përkushtua plotësisht edukimit të brezave të rinj, duke fituar dashurinë e nxënësve dhe respektin e thellë të kolegëve për shkak të përkushtimit dhe metodologjisë së tij të punës.

​Karriera bankare, nga Banka e Bashkuar te udhëheqja e BKK-së

​Në shtator të vitit 1977, karriera e tij mori një kthesë të re kur u pranua në Bankën e Bashkuar të Kosovës në Prishtinë, për të mos u kthyer më kurrë me ditar në dorë.

​Në vitin 1981 u rikthye në Gjilan për të punuar në Bankën e Lubjanës, e më vonë në Jugobankë, ku veproi deri pak para fillimit të luftës.

​Pas përfundimit të luftës, Qeveria e Përkohshme e emëroi koordinator të Sistemit Bankar për rajonin e Gjilanit te selia e Jugobankës, ku luajti një rol kyç në reorganizimin dhe vënien në binarë të sektorit financiar.

​Rrugëtimi i tij profesional u kurorëzua në vitin 2001, kur u emërua drejtor i Bankës Kreditore të Kosovës (BKK) në Gjilan, detyrë të cilën e ushtroi me përgjegjësi të lartë deri në pensionimin e tij, duke përmbyllur kështu mbi katër dekada përvojë me plot sukses.

​Udhëheqja e hendbollit dhe mbledhja e Kryesisë në odën e burrave

​Lidhja e Mexhit Devajës me hendbollin datonte që nga ditët e shkollës së mesme, por në vitin 1993 kjo dashuri u shndërrua në angazhim institucional.

Pasi u zgjodh anëtar i kryesisë së KH “Rilindja”, ai u delegua si përfaqësues në Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK) me mbështetjen e plotë edhe të dy kryesive të KH “Drita”, si te meshkujt ashtu edhe te femrat.

​Në vitin 1995 mori detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit, ndërsa në vitin 1996 në Kuvendin Zgjedhor u zgjodh kryetar i FHK-së, pozitë që e mbajti për plot katër mandate deri në vitin 2012.

​Një nga historitë më të veçanta të kësaj periudhe ishte organizimi i një mbledhjeje të radhës të kryesisë së FHK-së në kushte okupimi.

Për t’iu shmangur persekutimit dhe pengesave të regjimit serb, Devaja me një planifikim të rrallë strategjik e organizoi takimin e kryesisë së FHK-së në mënyrë perfekte në një odë burrash në fshatin Kosaq të Gjilanit, pa u hetuar aspak nga policia serbe.

​Ndërkombëtarizimi i hendbollit më 2004 dhe vizita e kryetarit të IHF-së

​Përpjekjet e tij të pashtershme u kurorëzuan më 18 dhjetor 2004, kur Federata e Hendbollit e Kosovës u pranua me të drejta të kushtëzuara në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), duke u bërë federata e dytë sportive në vend, pas asaj të pingpongut, që theu izolimin ndërkombëtar para se Kosova të shpallte pavarësinë.

​Me punën e tij të palodhshme në krye të federatës, Devaja kishte ndikuar drejtpërdrejt edhe në riorganizimin e hendbollit në Shqipëri, si dhe arriti të sjellë në Kosovë numrin një të hendbollit botëror, kryetarin e IHF-së (Federatës Botërore të Hendbollit), egjiptianin Hassan Moustafa.

​I magjepsur nga përkushtimi i tij, Moustafa madje pas vizitës do të deklaronte:

​”Sikur t’i kisha edhe 3 apo 4 kryetarë të tillë federatash, hendbollin do ta kishim bërë sportin numër një në botë.”

Gjatë këtij rrugëtimi sportiv, Devaja shërbeu gjithashtu për tre mandate në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ku kreu detyrën e anëtarit dhe nënkryetarit të këtij trupi të lartë.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë kontribut gati 20-vjeçar është se ai nuk mori asnjëherë pagë dhe shumicën e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit i mbuloi tërësisht nga mjetet e veta financiare.

​Trashëgimia e një figure shembullore

​Paralelisht me sportin, ai shquhet si një humanist i madh që ka ndihmuar vazhdimisht shoqata, klube, OJQ, shkolla e kopshte fëmijësh, arritje këto që i sollën më shumë se 50 mirënjohje, përfshirë dekorata të larta nga Presidenca e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

​I njohur nga natyra si një njeri serioz, korrekt dhe i përkushtuar, Mexhit Devaja çdo detyrë që e ka marrë e ka përmbushur me dinjitet të lartë, duke lënë pas një shembull frymëzues se si i shërbehet atdheut dhe shoqërisë.

​Përveç veprës së tij profesionale e kombëtare, ai ka lënë edhe një trashëgimi të shkëlqyer intelektuale te fëmijët e tij: djali i madh ka mbaruar Farmacinë, i dyti Mjekësinë, i treti Ekonominë, kurse vajza e vetme është violiniste në Filharmoninë e Kosovës.

Për botuesin dhe redaktorin F. S. /dita24h /

Shpërndaj me të tjerët