Të shtunën, më 17 tetor 2026, nis edicioni i shtatëmbëdhjetë i manifestimit dymujor “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, i organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Sipas kalendarit të publikuar nga organizatorët, hapja e këtij edicioni do t’i kushtohet shënimit të 80-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit dhe studiuesit të njohur të letërsisë, Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, i cili është edhe fitues i Çmimit Letrar “Beqir Musliu”.
Përgjatë dy muajve të zhvillimit të këtij manifestimi, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet veprave të reja të letërsisë bashkëkohore. Ndër to do të jenë librat e poeteve Naime Beqiraj (“Mos i kallzo harrimit”) dhe Donikë Dabishevci (“Grue prej zjermit”), si dhe dy vëllime poetike nga poetja e mërgatës, Zize Pepshi.
Gjatë muajit nëntor do të shpaloset portreti letrar i shkrimtarit Bardh Frangu, ndërsa mysafir i këtij edicioni do të jetë shkrimtari Mexhid Mehmeti.
Po ashtu, në prag të festave të nëntorit, në shkollën “Selami Hallaçi” do të organizohet një orë letrare kushtuar poezisë së shkrimtarit hero Ymer Elshani.
Edicioni i 17-të i “Vjeshtës Letrare…” do të përmbyllet më 19 dhjetor 2026 me paraqitjen e botimeve vjetore në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, ku do të zhvillohen edhe shumica e aktiviteteve të këtij programi./ dita24h /
