Shërbim i thjeshtë, efektiv dhe pa sorollatje, ofrohet çdo ditë nga mjekët familjarë
Qendra e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cërnica” në Gjilan është kthyer në një adresë të njohur për pastrimin e veshëve të pacientëve, duke tërhequr qytetarë nga të gjitha lagjet e qytetit dhe përtej tij. Ky shërbim, që ofrohet rregullisht nga mjekët specialistë të mjekësisë familjare, po u kursen pacientëve kohë dhe sorollatje nëpër sportele spitalore.
Qendra e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cërnica”, përveç të gjitha shkërbimeve të zakonshme shëndetësore, është edhe një qendër referente për pastrimin e veshëve. Ky shërbim ofrohet nga mjekët Dr. Sherif Dërmaku dhe Dr. Fejzullah Berisha si specialistë të mjekësisë familjare që punojnë bashkë në këtë qendër.
ShërbiM i përditshëm, kërkesë e përhershme
Dr. Fejzullah Berisha, specialist i mjekësisë familjare dhe njëri nga ofruesit e këtij shërbimi, tregon se pastrimi i veshëve është bërë pjesë e pandashme e punës së përditshme në këtë qendër.
“Nuk kalon ditë pa ardhur ndonjë pacient që kërkon pastrim të veshëve. Ose gjatë kontrollës zbulojmë se ka nevojë për pastrim,” shprehet dr. Berisha.
Ai shton se shumë pacientë befasohen kur mësojnë se ky shërbim kryhet në qendrën e lagjes, pa pasur nevojë të shkojnë në spital.
“Shumica mendojnë se duhet të drejtohen në repartin ORL në spital, por kur ju themi se ne e kryejmë këtu, habiten. Pas pastrimit, gëzohen dhe shpeshherë edhe dhembja u ndalet menjëherë,” thekson ai.
Procedurë e thjeshtë, rezultat i menjëhershëm
Pastrimi i veshëve realizohet me një pajisje shumë të thjeshtë: një shiringë 50 ml me ujë dhe një veshkore për mbledhjen e ujit të përdorur. Ky është një trajtim i sigurt dhe efektiv, i mësuar gjatë studimeve dhe praktikës profesionale të mjekëve.
“Nuk është diçka e pazakontë. Është një shërbim që çdo qendër mjekësore mund ta ofrojë dhe duhet ta ofrojë,” nënvizon Dr. Berisha.
Mundësi në të gjitha qendrat e qytetit
Në Gjilan funksionojnë gjithsej gjashtë qendra të mjekësisë familjare, dhe secila prej tyre ka kapacitet për të ofruar këtë lloj shërbimi. Kjo shmang radhët në spitale dhe përshpejton trajtimin e pacientëve që ndihen të shqetësuar nga problemet me dëgjimin.
Kujdes i afërt, ndihmë e menjëhershme
Rëndësia e këtij shërbimi qëndron jo vetëm në efektin e shpejtë për ndalimin e dhembjes, por edhe në përkujdesjen që i ofrohet pacientit afër vendbanimit të tij. Kjo përben një nga funksionet më themelore të mjekësisë familjare, ofrimi i kujdesit të menjëhershëm, të qasshëm dhe njerëzor.
Qendra “Ramiz Cërnica” mbetet një shembull konkret i funksionalitetit efikas dhe të dedikuar të sistemit shëndetësor parësor në shërbim të komunitetit.