Komiteti për Politikë dhe Financa në Gjilan ka mbajtur mbledhjen e dytë për këtë vit, nën udhëheqjen e kryesueses së Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, me ç’rast ka rekomanduar për seancën e radhës të Kuvendit Komunal një sërë pikash të rendit të ditës.
Ndër pikat kryesore të shqyrtuara ishte raporti financiar për periudhën janar-shtator 2026, të cilin para anëtarëve të komitetit e ka arsyetuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati.
Po ashtu, pas prezantimit nga drejtoresha për Kadastër, Eljesë Rashiti, KPF-ja ka rekomanduar propozim-vendimin për shpalljen e Interesit të Ligjshëm Publik me qëllim të sigurimit të tokës për zgjerimin e varrezave në fshatin Lladovë.
Gjithashtu, me arsyetimin e drejtorit të DKRS-së, Kushtrim Zeqiri, u rekomandua edhe draft-statuti i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore të Gjilanit, e bashkë me të edhe një informatë për fillimin e vitit të ri shkollor 2026-2027 si dhe raporti përfundimtar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore për periudhat mars-qershor dhe korrik-gusht 2026.
Gjatë takimit, anëtarët e KPF-së nga radhët e opozitës, përkatësisht nga LDK-ja dhe AAK-ja, kërkuan kontraktimin e një operatori për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të Kuvendit.
Lidhur me këtë kërkesë, drejtori për Buxhet dhe Financa konfirmoi se tashmë është bërë zotimi i mjeteve financiare dhe se procedurat e mëtutjeshme pritet të zhvillohen nga Zyra e Prokurimit.
Në këtë mbledhje u kërkua po ashtu që në takimin e radhës të paraqitet një informatë zyrtare nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi lidhur me ngjarjet tragjike që ndodhën javë më parë.
Ndërkaq, në debatin e sotëm me pyetje dhe rekomandime dhanë kontributin e tyre edhe anëtarët e KPF-së Gentrit Murseli, Bujar Nevzati, Nazim Gagica, Besnik Shala si dhe Muhadin Haziri.
